Nuk keni produkte në shportë

Provo

5 këshilla për t'ju lehtësuar punën nga shtëpia

Me siguri shumë prej jush tani po punojnë nga shtëpia, për shkak të situates aktuale. Në fillim kjo mund të mos duket dhe aq ndryshe - ju thjesht do të punoni nga tavolina e shtëpisë dhe jo nga ajo e zyrës për pak kohë – por ka dhe disa detaje për të cilat duhet të jeni të vetëdijshëm. Nëse nuk jeni plotësisht të sigurt se si ta organizoni punën tuaj nga shtëpia, ne kemi disa këshilla të dobishme që mund t'ju ndihmojnë në këto ditë.

Me siguri shumë prej jush tani po punojnë nga shtëpia, për shkak të situates aktuale. Në fillim kjo mund të mos duket dhe aq ndryshe - ju thjesht do të punoni nga tavolina e shtëpisë dhe jo nga ajo e zyrës për pak kohë – por ka dhe disa detaje për të cilat duhet të jeni të vetëdijshëm. Nëse nuk jeni plotësisht të sigurt se si ta organizoni punën tuaj nga shtëpia, ne kemi disa këshilla të dobishme që mund t'ju ndihmojnë në këto ditë.

#1 Caktojeni një vend ku do të punoni çdo ditë

Është mirë të caktoni një vend në shtëpi ku do të punoni çdo ditë, pasi kjo ndihmon trurin për ta lidhur atë me vëndin e punës. Shmangni vendet që i përdorni për relaksim, sepse mund t'iu shpërqendrojnë ose do të ndiheni të përgjumur.

Në këto rrethana, sigurisht është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Me siguri edhe partneri juaj punon prej shtëpisë, e nëse keni fëmijë, situata vështirësohet, sepse ata mund të sillen nëpër shtëpi tërë ditën. Prandaj duhet ta caktoni një vend që nuk përdoret shpesh nga të gjithë familjarët, si dhe të keni një vend të dytë si plan B për çdo rast. Ju mund të punoni edhe në ballkon apo kopsht.

#2: Bëni planin e punës

Në ditë normale puna fillon zakonisht në 8 të mëngjes dhe mbaron rreth orës 4 pasdite, si dhe një pushim dreke apo një kafe gjatë ditës. Kurse në shtëpi, gjithçka është ndryshe. Gjërat mund t'iu marrin më shumë kohë, dhe mbrëmja mund t'iu gjejë pa kryer detyrat që kishit planifikuar. Kjo është normale, por ka disa mënyra për t'i bërë gjërat të ecin më mirë.

Para se të filloni punën, krijoji një plan pune, ashtu si në zyrë. Zgjohuni herët dhe fillojeni punën në të njejtën kohë siç e fillonit në zyrë. Të punuarit nga shtëpia do t’iu kursejë kohën që bënit për të shkuar në punë, të cilën mund ta shfrytëzoni për të gatuar për familjen tuaj, kështu ato do të ushqehen më shëndetshëm.

Po ashtu, mos u merrni njëkohësisht dhe me punët e shtëpisë. Të ndezësh lavatriçen vërtetë merr pak minuta, por në fund të ditës, të gjitha nga pak ju marrin kohën si dhe ju shpërqëndrojnë nga puna. Kështu që kur uleni për të punuar punoni – dhe kur të mbaroni merruni me të tjerat. Punoni nga shtëpia por silluni sikur të ishit në zyre.

#3: Qëndroni në kontakt me njerëzit e tjerë

Nëse e gjithë familja po punon nga shtëpia këtë periudhë, me siguri ju nuk ndiheni vetëm dhe keni me kë të këmbeni një bisedë.

Dhe në zyrë vazhdimisht jeni në kontakt me kolegët me të cilët ndani biseda gjatë ditës. Këtë mund të vazhdoni ta bëni, kuptohet jo fizikisht, por me platformat që ekzistojnë siç bënit në ditët normale. Sigurisht që ju jeni në kontakt me ta dhe bisedoni për çështjet e punës, por përveç komunikimit me e-mail, i cili është zyrtar, ju këshillojmë dhe bisedat në telefon, në rrjetet sociale apo telefonatat në grup.

Kjo do t’ju ndihmojë të ruani raportet miqësore, të thyejni monotoninë dhe të ndiheni më mirë.

#4: Mos punoni të veshur me pizhama

Shumë mund të thonë: a nuk është kjo përparësia e të punuarit nga shtëpia? Por për të qenë sa më produktiv, ju duhet të punoni në një hapësirë dhe kushte të ngjashme si në zyre. Të qëndruarit me pizhama mund t'ju japë më shumë se ç'duhet ndjenjën e rehatisë dhe kjo mund t'iu shpërqendrojë nga puna.

Cdo mëngjes, vishni rroba që do të kishit veshur edhe në punë, për tu ndjerë sa më mirë vetë, por dhe për të rritur produktivitetin e punës tuaj.

#5: Sigurohuni që keni gjithçka që iu duhet

Para se të keni filluar punën nga shtëpia, ju duhet të siguroheni se i keni të gjitha pajisjet që iu duhen. Sigurisht, ju nuk mund t'i keni të njejtat kushte si në zyre, por mundohuni të gjeni një karrige të rehatshme, rregulloni monitorin në lartësinë e duhur, si dhe përdorni kufjet për të shmangur zhurmat e mundshme. Po ashtu, mbani afër ndonjë bllok shënimesh, në të cilin mund të mbani shënime për punët dhe detyrat që janë parësore.